shqiperia_sarande_471504446 (1)

 

Duke udhëtuar nga Saranda në Borsh, ngjyrat shpërthyese të qershorit, të harlisura faqeve të maleve, nën erën e sherebelës, bëjnë paqe mbi kaltërsinë e detit Jon. Më pas, përgjatë rrugës nacionale të Bregut, udhëtimi zbret në një pjerrësi nga ku mund të kundrosh grykën e Kakomesë në të majtë dhe përpara fshatin Nivicë, shtëpitë e të cilit ulen sipas pjerrësisë së malit, deri mbi rrugë.
Shtëpi me çati të reja e oborre plot lule. Shkolla e re dhe kisha e Shën Dhimitrit, kafenetë rreth rrapit 300- vjeçar, vizatojnë një peisazh të qetë, qetësi që shprishet nga zhurrmat e erës dhe të moshuarit që rrufisin kafenë e mëngjesit me të rejat e fshatit.
Një nga mysafirët e ditës, Lefter Sulioti, një banor i fshatit Pllakë, është ndalur aty për të porositur disa blloqe tullash. Fabrika e Krekëzës, e ndodhur mes gjelbërimit, është një ndër pikat më  prodhuese të zonës. Një zonë e pasur në bletërritës dhe fermerë, me ullishta të rregullta në blloqe dhe parcela me emrat e të parëve.
Sapo lë pas Nivicën, shfaqet fshati i njohur Shën Vasil. Dikur, në faqet e malit të Shëndëllisë dhe tani në sheshin pranë Manastirit të Ajias Basileit.
Një fshat i pasur, dikur me 7 kisha dhe dy manastire, ai i Shën Vasilit dhe ai i Krorëzës. Pranë manastirit të krorëzës shtrihen dy plazhe të vegjël të mrekullueshëm, 5 deri 7 metër gjerësi, në 3 kilometër shtrirje, disa qindra metër në veri të gjirit të Kakomesë.
Në mesin e fshatit Shën Vasil ngrihet rrapi shekullor, si një shenjë e mbijetesës dhe vitalitetit. Minella Balla, kryetar i fshatit tregon se banorëte  këtij fshati, rreth 129 trungje familajre, gëzojnë të drejtën e  pronësisë mbi këtë bukuri përrallore. Ai pohon se zhvillimi turistik, sipas një plani, duke i respektuar banorët pronarë, do të krijojë më shumë mundësi zhvillimi.
Djemtë po kthehen nga emigracioni me fëmijët e tyre dhe tani fshati ka marrë gjallëri. Po mendojnë të sistemojnë shkollën e fshatit, sistemin e ujitjes dhe kështu kjo zonë e pasur do të jetë gati për sezonin turistik, ku turizmi familjar është një lloj turizmi i hapur vitet e fundit.
Bregdeti i poshtëm i Rivierës, përgjatë të cilit shtrihet sot territori i komunës së Lukovës, ka qënë në antikitet pjesë e territorit të fisit ilir të kaonëve të Epirit.
Puhiza e lehtë e erës së detit ndihet aty, nën  fëshfërimën e gjetheve të rrapit. Rruga e re të mundëson një rrugëtim të shpejtë dhe komod, mes ullishtave dhe agrumeve në të dyja anët e rrugës. Komuna e Lukovës bën pjesë në Rivierën shqiptare, e cila shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Krahinës Malore Jugore të Shqipërisë, përgjatë brigjeve të detit Jon, me një gjatësi prej 154 km.
Fshati Lukovë shfaqet befas sapo ke kaluar një bërryl të fortë rruge. Në të majtë zbret në plazhine  Shpellave i kërkuar për kthjelltësinë e ujërave dhe rërën e imët, bregun shkëmbor dhe përthyerjet e klimës malore e detare, një ajër dehës dhe i shëndetshëm.
Plazhi i Shpellave sot është një plazh i populluar nga pushuesit, pas rregullimit të rrugës dhe shërbimit sezonal në lokalet e tij, ku shërbehet ushqimi i freskët, me prodhimet që nxjerrin nga deti.
Fshati i Lukovës shtrihet në rrëzë të shpateve të vargmalit të Lavanit, në të djathtë dhe sfond detin në të majtë. Dy shtigje të njohura të banorëve zbresin në të tjera gjire që shumë këkrohen nga pushuesit dhe banorëte  fshatit për pastërtinë e ujërave dhe intimitetine  bregut shkëmbor.
Në shekullin e XVI, fshati figuron me emrin e vjetër Llukovo. Në pjesën e poshtme të tij gjenden rrënojat e kishës së shën e Premtes, e shekulit të XVII, sot  në gjendje të rrënuar.
E veçanta e saj  ka qënë kambana e kishës, e dhuruar nga mbreti i Napolit, në vitin 1695 dhe e zhdukur gjatë revolucionit ateist, në vitin 1967.
Sot, kjo komunë numëron 7 mijë e 600 votues, ku shumica janë emigrantë sezonalë në Greqi dhe vera është stina që i mbledh në shtëpi, mes pushimeve dhe punëve për rregullimin e banesës, oborreve apo kopshteve, me fidanët e vjetër e të rinj të ullinjve.
Të lindur e rritur në këtë fshat, Arsen Spiro dhe bashkshortja e tij Kana, janë përherë mikpritës me shtëpinë e tyre buzë rrugës. Ai dikur futbollist me kombëtaren dhe sot gjysh që nuk ju nda fshatit të lindjes. Dy djemtë e tyre janë në emigraciongjatë vitit dhe vijnë çdo vit të ri, festa e në muajin gusht.
Shtëpia e tyre e hershme është e hapur si një muze tregimesh mbi zhvillimin e zonës dhe nevojave reale të banorëve.
Nga emigracioni janë kthyer 10 famije dhe jetojnë në fshat përgjithmonë. Kanë hapur dikund një furr buke, dikund një bar restorant, supermarket apo pikë karburanti. Tani shtëpitë kanë edhe tab elat se jepern me qera për pushusit. Zakinisht në Lukovë pushojnë shtetas nga Tirana dhe Korça, një përzgjedhje e rrastësishme por që i rikthen ata vazhdimisht në të njëjtat shtëpi e në të njëjtat gjire, tregon nënpunësi i gjendjes civile Klement Papadhima.
Në një nga lokalet e kthesave të Lukovës, ku ndalesh si në një ballkon të hapur mbi det, aty ku shërben Eli dhe Abdyl Shehu, bashkëshortë që bartin në historinë e tyre, historinë e të ardhurve në vitet ’60 dhe tani janë pjesë e jetës së fshatit, krushqive, gëzimeve e ngushëlimeve.
Dimër verë, aty në lokalin e tyre e gjen përherë informacionin mbi zonën apo shërbimet e nevojshme.Lukova, me hotelet e hapura dimër verë, të favorizuar nga klima e ngrohtë e jugut dhe rrezatimi i gjatë, ofron një mundësimi të përhershme pushimi dhe shijimitë gatimeve me bazë vajin e ullirit dhe mishin e fresketë, ëmbëlsinë e mjaltit të bletëve, që shëtitin në sherebelë e frutat e llojllojshme.
Ujërat që rrjedhin nga gurra e Lukovës janë një tjetër pasuri natyrore që e bën këtë vend të veçantë. Rruga vazhdon nga Lukova, drejt Sasajt e Bunecit, nga faqja e malit drejt detit, për të gjarpëruar sërish mes ullishtave lart në fshatin Piqeras./

Advertisements